Secondary Adv

NAREA: Rivlerësim me 3 për qind për banesat, lehtësi tatimore për shtëpinë e parë

NAREA ka dalë me disa propozime zyrtare për projektligjin për rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme dhe për trajtimin fiskal të të ardhurave nga shitja e pronave.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) propozon që tatimi për banesat të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%.

 

Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat. Sipas NAREA-s, ky lehtësim për banesat do të ndihmonte në uljen e barrës fiskale për kategorinë e pronave për strehim duke e bërë atë më të përballueshëm. Gjithashtu, një lehtësim i tillë do të inkurajonte shtimin e ofertës në treg dhe lehtësonte transaksionet me synim strehimin.

 

Periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç propozohet në projektligj. NAREA shprehet se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

 

Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara.

 

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, CENSI 2023, 2/3 e banesave në përdorim në Shqipëri janë mbi 25 vite të vjetra dhe vetëm 12.3% janë më të reja se 10 vite. NAREA mbi këtë bazë vlerëson se rreth 500 mijë banesa janë potencialisht për t’u rivlerësuar.

 

NAREA propozon gjithashtu që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Gjithashtu, NAREA propozon edhe ndryshime në legjislacionin tatimor, për të mundësuar lehtësi të përhershme lidhur me të ardhurat nga shitja e shtëpisë së parë. Në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse pasuria në transaksion ka shërbyer si vendbanim kryesor për të paktën tre vite nga momenti i marrjes në pronësi, ose nëse provohet që ka shërbyer si banesë e parë për të paktën 50% të kohës së zotërimit, NAREA propozon që transaksioni me këtë pasuri të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital të realizuar.

 

Gjithashtu, propozohet që në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse ka fitim kapital të tatueshëm, baza e tatueshme (çmimi i shitjes – çmimi i blerjes/marrjes në pronësi) të korrigjohet me normën e inflacionit vjetor, për çdo vit nga momenti i blerjes deri në atë të shitjes, si dhe me kostot financiare të gjeneruara në momentin e marrjes në pronësi apo dhe gjatë zotërimit (kostot e financimit të blerjes, interesat e huave bankare hipotekare, ato të restaurimeve etj). Nëse rezulton kapital i realizuar, pasi baza e tatueshme është korrigjuar si me sipër, ky kapitali i realizuar të tatohet me jo më tepër se 3%.

 

/Monitor (https://monitor.al/narea-rivleresim-me-3-per-banesat-lehtesi-te-perhershme-tatimore-per-shtepine-e-pare/)


Më të lexuarat